Skemës kombëtare për bujqësinë iu shtuan  mbështetja financiare për sistemeve të ujitjes në pemëtore, ullishte apo vreshta, dhënia paraprake e financimit prej 30% nëse jepet garancia nga një shoqëri sigurimi apo bankë, si dhe mbulim të investimeve deri në masën 15 mln lekë për ha nëse investohet për shtim serrash diellore për kultivim të perimeve, luleshtrydheve dhe rrushit.

Qeveria ka bërë disa shtesa në VKM nr. 150, datë 6.3.2025, “Për përcaktimin e kritereve bazë të sektorëve që do të mbështeten dhe të masës së financimit nga fondi i programit për bujqësinë e zhvillimin rural, për vitin 2025”, me qëllim rritjen e mbështetjes për investime në bujqësi.

Konkretisht vendimi i ndryshuar i botuar në Fletoren Zyrtare përfshin masa të reja financimi me përfitim 50% të vlerës totale të faturës tatimore, por jo më shumë se 15 mln lekë për ha për ndërtimin e serrave të reja diellore me perime ku të jetë i përfshirë edhe instalimi i sistemit të ujitjes

Ndërsa për ngritjen e serave të reja të prodhimit të rrushit mbështetja financiare arrin deri në 8 mln lekë për ha dhe 4 mln lekë për ha për serrat e reja të prodhimit të luleshtrydheve. Për mbjelljet e reja të pemëve frutore, ullinjve, agrumeve dhe vreshtave. Financimi të bëhet për sipërfaqe jo më pak se 0,5 ha dhe jo më shumë se 10 ha. Masa e përfitimit të jetë në 50% të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 800 mijë lekë/ha.

Po ashtu shtohet mbështetja për sistemet e ujitjes me pika dhe mbrojtjen nga breshëri: Fermerët që instalojnë sisteme moderne ujitjeje dhe rrjeta mbrojtëse për pemë dhe vreshta do të marrin subvencione nga 250 mijë lekë për ha deri në 1,5 mln lekë për ha.

Me financim do të mbështeten edhe fermerët që investojnë për ngritjen e linjave të përpunimit dhe etiketimit të perimeve, rrushit dhe verës, ullirit dhe vajit të ullirit në 50% të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 7,5 mln lekë për subjekt.

Do të mbështeten edhe investimet në agroturizëm me një masë përfitimi në 50% të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë 15 mln lekë për subjekt. Edhe për akuakulturën detare për koshat e rritjes së peshkut (vetëm për koshat dhe rrjetat), masa e përfitimit do të jetë në 50% të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 15 mln lekë për subjekt.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds