Këshilli i Ministrave ka miratuar bonus të veçantë për personat me aftësi të kufizuara dhe kujdestarët e tyre.

Në një postim të kryeministrit Edi Rama në rrjetet sociale, ministri i Financave, Petrit Malaj njofton se vlerësohet që bonusi arrin vlerën e 150 eurove, ndërsa prej saj përfitojnë 148.500 persona.

“Në kuadër të kësaj mbështetjeje, do të akordohet një masë financiare prej 15 mijë lekësh, ose rreth 150 eurosh, për secilin përfitues. Nga kjo paketë do të përfitojnë gjithsej 148 500 qytetarë, ndërsa fondi total i vënë në dispozicion arrin në 2,2 miliardë lekë”, tha Malaj.

Ministri deklaroi se një nga vendimet më të rëndësishme të Këshillit të Ministrave lidhet me përdorimin e fondeve të pashpenzuara nga ministritë dhe institucionet buxhetore.

Sipas tij, është vendosur që të gjitha fondet që nuk do të shpenzohen nga këto institucione të kalojnë në fondin e posaçëm të pensioneve pranë Bankës së Shqipërisë.

“Bazuar në një vlerësim paraprak, shuma që minimalisht pritet të transferohet në këtë llogari është rreth 150 milionë euro. Kjo shumë do të përdoret për Reformën e Pensioneve”, deklaroi Malaj.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *