Një zjarr i ndezur për pastrim bari përfundoi me djegien e një sipërfaqeje të konsiderueshme toke me bimësi në fshatin Borsh të Himarës. Autori i dyshuar është identifikuar nga policia dhe është proceduar penalisht në gjendje të lirë.
Ngjarja ndodhi pranë banesës së shtetasit M. K., 51 vjeç, banues në Borsh, i cili dyshohet se ndezi zjarr me qëllim pastrimin e një sipërfaqeje toke, por flakët dolën jashtë kontrollit. Si pasojë, u dogj një zonë kullotash, me shkurre dhe ferra.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Himarë ndërhynë menjëherë dhe kryen veprimet procedurale, duke referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë. M. K. do të përballet me akuzën për zjarrvënie e pakujdesshme, ndërsa vijojnë hetimet për të përcaktuar dëmet e plota.