Aktori Eric Dane, i njohur më së miri për rolin e tij në serialin “Grey’s Anatomy”, ka ndërruar jetë në moshën 53 vjeç-are, 10 muaj pasi u njoftua se ishte diagnostikuar me sklerozë laterale amiotrofike (ALS).
Mediat e huaja shkruajnë se lajmi për vdekjen e tij u konfirmua nga familja e tij në një deklaratë për revistën People. “Me zemër të thyer njoftojmë se Eric Dane ndërroi jetë të enjten pasdite pas një beteje të guximshme me ALS-në. Ai i kaloi ditët e tij të fundit i rrethuar nga miq të dashur, gruaja e tij e përkushtuar dhe dy vajzat e tij të bukura, Billie dhe Georgia, të cilat ishin qendra e botës së tij. Eric i adhuronte fansat e tij dhe është përgjithmonë mirënjohës për dashurinë dhe mbështetjen që mori”, shkruan familja e Dane.
Diagnoza dhe simptomat e para
Aktori zbuloi në prill të vitit 2025 se ishte diagnostikuar me ALS, një sëmundje neurodegjenerative që prek qelizat nervore në tru dhe palcë kurrizore, duke çuar në një humbje graduale të kontrollit të muskujve. Sipas Klinikës Mayo, nuk ka kurë për këtë gjendje. Në një intervistë në qershor 2025 në emisionin “Good Morning America”, ai foli hapur për shenjat e hershme të sëmundjes. “Fillova të ndieja një dobësi në dorën time të djathtë dhe nuk i kushtova shumë vëmendje në atë kohë”, i tha ai Diane Sawyer. “Mendova se ndoshta po shkruaja shumë mesazhe ose se dora ime ishte e lodhur. Por disa javë më vonë, vura re se ishte përkeqësuar.”
Shfaqjet publike dhe përkeqësimi
Në shtator të vitit 2025, ai u shfaq në një aeroport të Uashingtonit në një karrige me rrota, duke u përpjekur të fliste me një fotograf. Kur e pyetën se çfarë donte t’u thoshte fansave të shqetësuar, ai u përgjigj me zë të thyer: “Mbani besimin”.
Në fund të muajit të kaluar, ai anuloi papritur pjesëmarrjen e tij në një aktivitet për ALS-në, duke përmendur probleme shëndetësore. U njoftua se ai “nuk ishte mjaftueshëm mirë për të marrë pjesë” për shkak të “efekteve fizike të ALS-së”.
Kush ishte Eric Dane?
Eric Dane lindi më 9 nëntor 1972, në San Francisko të Kalifornisë. Ai e filloi karrierën e tij në vitet 1990 me paraqitje në seriale televizive, por njohja e tij më e madhe erdhi në vitin 2006, kur iu bashkua kastit të serialit të njohur mjekësor “Grey’s Anatomy”, duke luajtur kirurgun plastik Mark Sloan, i njohur edhe si “McSteamy”.
Gjatë pranisë së tij në serial, ai mori pjesë gjithashtu në produksione filmike si “X-Men: The Last Stand”, “Marley & Me” dhe “Burlesque”.
Pas largimit nga seriali, ai vazhdoi me role kryesore, duke përfshirë serialin dramatik “The Last Ship”. Në vitin 2019, ai mori rolin e Cal Jacobs, babait të rreptë të personazhit Nate, në serialin “Euphoria”. Ai e ripërsëriti rolin në sezonin e dytë dhe ishte planifikuar të shfaqej në sezonin e tretë dhe të fundit të serialit.
Ai mbeti aktiv deri vonë, duke u shfaqur për herë të fundit në një episod të “Brilliant Minds” vjeshtën e kaluar, duke luajtur një zjarrfikës që vuante nga ALS. Krijuesi i serialit, Michael Grassi, kishte deklaruar se Dane mezi priste të bashkohej me serialin pasi ishte një fans i tij.
