Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë

Finalizohet pas disa muajsh hetime me metoda proaktive, megaoperacioni i koduar “Blloku 33”.

Goditen disa grupe kriminale që shitnin doza të drogave të forta në lokalet e natës në zonën e Ish-bllokut. Gjatë periudhës hetimore janë identifikuar 42 shtetas, pjesëtarë të grupeve që ushtronin këtë veprimtari kriminale.

Nga 33 masa sigurie që ka caktuar Gjykata, u ekzekutuan 25 prej tyre (masa e sigurisë “Arrest në burg”, për 24 shtetas, dhe masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për 1 shtetas).

Ndërkohë, vijon puna për kapjen e 8 shtetasve të tjerë.

Sekuestrohen 1 kg e 964 gramë Kokainë, 450 gramë Heroinë, 2 armë zjarri pistoleta, 29 celularë, 6 automjete, 4 peshore elektronike dhe shuma të konsiderueshme parash.

Gjatë periudhës hetimore janë arrestuar 9 shtetas dhe janë sekuestruar 85 kg lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa.

Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera me metoda proaktive për disa muaj, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, u finalizua në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Tiranë, operacioni policor i koduar “Blloku 33”, për goditjen e disa grupeve kriminale që shitnin doza kokaine dhe heroine, në lokalet e natës në zonën e Ish-bllokut.

Në kuadër të këtij operacioni, u ekzekutuan masat e sigurisë:
-“Arrest në burg”, për shtetasit A. H., 31 vjeç, D. G., 46 vjeç, A. G., 41 vjeç, E. S., 23 vjeç, J. B., 43 vjeç, A. H., 22 vjeç, S. J., 23 vjeç, M. A., 35 vjeç, G. K., 24 vjeç, A. Sh., 36 vjeç, E. M., 29 vjeç., Xh. R.(H)., 30 vjeçe, V. Q., 53 vjeç, M. Xh., 24 vjeç, A. Sh., 41 vjeç, L. D., 21 vjeç, J. R., 30 vjeç, E. Rr., 30 vjeç, K. S., 22 vjeç, B. D., 35 vjeç., K. T., 21 vjeç, S. D., 19 vjeç, A. D., 28 vjeç dhe L. K., 27 vjeç, të gjithë banues në Tiranë;
-“Arrest në shtëpi”, për shtetasin F. K., 30 vjeç, banues në Tiranë.

Gjatë kontrollit fizik ndaj këtyre shtetasve dhe kontrollit në banesat e tyre janë gjetur dhe sekuestruar: 1 kg e 964 gramë lëndë e dyshuar narkotike Kokainë, 450 gramë Heroinë, 2 armë zjarri pistoleta, 29 celularë, 6 automjete, 4 peshore elektronike dhe shuma të konsiderueshme parash në lekë dhe euro, që dyshohet se janë përfituar nga kjo veprimtari kriminale.

Në kuadër të operacionit janë shpallur në kërkim 8 shtetas të tjerë, të cilët janë identifikuar gjatë periudhës hetimore, si të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Vijon puna për kapjen e tyre dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds