Kryeministri Edi Rama u takua këtë të mërkurë në Bruksel me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte. Takimi u zhvillua në selinë e Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe u fokusua te roli i Shqipërisë në NATO, mbështetja për Ukrainën, si dhe projektet e ardhshme për zhvillimin e industrisë së mbrojtjes.
Rutte vlerësoi kontributin e vendit tonë në Aleancë dhe theksoi se Shqipëria këtë vit do të arrijë nivelin 2% të shpenzimeve për mbrojtjen
“Shqipëria është një aleate e palëkundur. Shqipëria do të mbërrijë 2% e shpenzimeve ushtarake këtë vit, që është një angazhim i madh. Shqipëria po zhvillon bazën e saj industriale, përfshi edhe përmes ndërmarrjeve të veta shtetërore, çka është e rëndësishme, sepse na duhet një bazë më e fortë industriale në mbarë NATO-n. Ju po ndihmoni shumë me Ukrainën, edhe jashtë Shqipërisë ju po merrni pjesë në Forcat Atlantike në Letoni, në Bullgari jeni aktiv në Kosovë përmes KFOR-it. Shqipëria nuk është aleati më i madh i ynë por Shqipëria po bën shumë. Dua të falënderoj shumë që jeni aleat kaq i patundur. Ju e dini që NATO-ja mund të mbështetet tek Shqipëria dhe ju e dini që gjithmonë Shqipëria mund të mbështetet tek NATO-ja”.
Kryeministri Rama foli edhe për një nga projektet strategjike më të rëndësishme që vendi synon të realizojë në bashkëpunim me NATO-n, ndërtimin e një porti të ri ushtarak në Porto Romano.
“Tashmë po rinisim rilindjen e industrisë sonë, jemi shumë të prirur të diskutojmë me ju punën e mëtejshme që duhet bërë për të bërë të mundur portin e ri ushtarak në Shqipëri në Porto- Romano dhe sigurisht jemi këtu edhe për të folur së bashku për mënyrat me të cilat mund të qasemi në programin “Safe” të BE, i cili sa i takon sigurisë, shkon përtej perimetrit të vendeve të BE-së dhe mund të jetë i dobishëm dhe për vendet e NATO-s në Europë”.
Rama e mbylli fjalën e tij me falenderime për Sekretarin e Përgjithshëm Rutte, duke e cilësuar si një lider energjik dhe partner të çmuar.
