Mungesa e sinjalistikës rrugore siç janë vijat e bardha në rrugë për kalimin e këmbësorëve është bërë shqetësuese në qytetin e Lushnjës. Në mungesë të semaforëve të cilët u hoqën vjet, se ishin jofunksionalë, vijat e bardha ndihmonin qytetarët për të kapërcyer rrugët të sigurtë, pasi rreziku për aksidente është i lartë nga lëvizja e shumtë e automjeteve.
Janë disa kryqëzime dhe segmente rrugore në qytet ku vijat e bardha për kalimin e këmbësorëve janë të padukshme. Qytetarët jashtë kamerave shprehen të shqetësuar për këtë gjë dhe se ndjehen të rrezikuar. Vijat e bardha janë inekzistente tek kryqëzimin e Postës së Vjetër, tek Kryqëzimi i Ypsilonit, pas regullimit para 4 muajsh të rrugëve të amortizuara.
Gjithashtu vijat e bardha të cilat u përforcuan edhe me vija të kuqe para një viti, po zhduken nën hapat e vazhdueshëm të qytetarëve dhe kushteve të motit. Por edhe në ato rrugë ku vijat e bardha janë të dukshme, shpesh bëhet e pamundur kapërcimi i sigurtë i rrugës, sepse në to janë parkuar automjete ose qendrojnë automjete të cilët në çdo moment mund të shkaktojnë aksident, në çdo moment mund të marrin jetë.