Me ardhjen e verës dhe mbarimin e vitit shkollor fëmijët duan që të luajnë dhe argëtohen këto tre muaj. Fëmijët mund të luajnë kudo dhe me çfarëdogjëje, pasi imagjinata e tyre është e pashtershme, por këndet e lojrave janë ato që tërheqin më shumë vëmendjen e tyre dhe i lehtëson prindërit. Por në qytetin tonë këndet e lojrave funksionalë dhe me standarte nuk ekzistojnë nëpër lagje. Ky është një problem shqetësues për prindërit dhe fëmijët, sepse ata detyrohen të luajnë nëpër rrugë, ku rrezikohen nga lëvizja e automjeteve.
Në Lushnjë është ndërtuar para disa vitesh një kënd lojrash i vendosur në një hapësirë të vogël tek lulishtja e qytetit, por tani është më hekura të ndryshkura, lodra të prishura që rrezikojnë fëmijët.
Bashkia e Lushnjës e ka për detyrë t’u sigurojë fëmijëve hapësira për të luajtur e edukuar si kënde lojrash, pishina, kopshte etj. Kjo gjë nuk ka ndodhur në qytetin tonë. Edhe këndi i vetëm i lojërave nuk është i mirëmbajtur jo vetëm nga bashkia që e ka detyrë mirëmbajtjen e tij, por edhe nga qytetarët që e kanë detyrë morale ruajtjen e hapësirave publike, mbi të gjitha hapësirave për fëmijët. Përmirësimi i hapësirës publike është një prej investimeve më të mirë që mund të bëjmë, sidomos kur bëhet fjalë për fëmijët tanë.