Muaji tetor është Muaji i ndërgjegjësimit kundër trafikimit të qenieve njerëzore, ku përfshihen dhe fëmijët. Trafikimi i fëmijëve, një formë skllavërimi është një problem i madh në Shqipëri. Fëmijët shfrytëzohen për qëllime seksuale, pune të detyruar, lypje apo martesa të detyruara.
Nga viti 2022 deri në Qershor 2025, pranë ALO 116 – Linja Kombëtare për Fëmijë janë raportuar 755 incidente, që përfshijnë 1,439 fëmijë të shfrytëzuar.
Në kuadër të këtij muaji Ndihmësspecialistët për edukimin në shkolla pranë DVP Fier, në bashkëpunim me oficeren e sigurisë dhe me psikologen e shkollës, zhvilluan sesione informuese me nxënësit dhe mësuesit e Shkollës së Bashkuar “Bubullimë” me video sensibilizuese, materiale ilustrative, fletëpalosje informuese.
Gjatë takimit, nxënësit u njohën me:
Llojet e trafikimit të qenieve njerëzore dhe mënyrat e mbrojtjes së fëmijëve.
Rregullat e përdorimit të sigurt të internetit i cili është kthyer në një nga mjetet kryesore që trafikuesit përdorin për të zgjedhur viktimat e tyre.
Dhe si të raportojnë raste dhune, trafikimi ose kontakte të dyshimta nga persona të panjohur.
Nxënësit dhe mësuesit morën pjesë aktive në diskutime, ku ndanë pyetje dhe përvoja mbi situata të mundshme që lidhen me sigurinë dhe mbrojtjen personale.
Fenomeni i trafikimit është produkt i varfërisë ekstreme, dhunës së përsëritur në familje, mungesës së arsimimit, braktisjes institucionale dhe indiferencës së shoqërisë.
