Prefektura e Elbasanit ka publikuar informacionin zyrtar të orës 10:30 mbi gjendjen e motit dhe situatën në terren pas reshjeve të ditëve të fundit. Sipas të dhënave nga Emergjencat Civile, në qarkun Elbasan nuk ka reshje shiu që prej orës 05:00 të mëngjesit, ndërsa aktualisht moti paraqitet me vranësira, por pa probleme të evidentuara.
Të gjitha 7 bashkitë e qarkut Elbasan, Librazhd, Gramsh, Peqin, Belsh, Cerrik dhe Prrenjas raportojnë situatë të qetë dhe pa ngjarje që lidhen me emergjencat hidrike apo infrastrukturore. Nga komunikimi i vazhdueshëm me sallën operative, nuk janë konstatuar probleme në komunitet, duke e vlerësuar situatën si të stabilizuar.
Ndërkohë, në aspektin e furnizimit me energji elektrike, ekipet e OSHEE-së janë në terren dhe po punojnë për riparimin e disa defekteve të shkaktuara kryesisht në zonat malore. Punime të dedikuara po zhvillohen në:
• Orenjë, Lunik, Polis dhe Xhyrë (Bashkia Librazhd)
• Skënderbegas (Bashkia Gramsh)
• Stravaj (Bashkia Prrenjas)
Pavarësisht këtyre defekteve të izoluara, shpërndarja e energjisë në pjesën tjetër të qarkut është normale.
Lidhur me qarkullimin rrugor, të gjitha akset nacionale dhe rurale janë të hapura dhe të kalueshme. Deri në momentin e raportimit, nuk janë shënuar bllokime, rrëshqitje apo prani rreziku në rrugë.
Strukturat e Emergjencave Civile të Prefekturës së Elbasanit konfirmojnë se vijojnë monitorimin e pandërprerë të situatës meteorologjike, furnizimit me energji dhe gjendjes së infrastrukturës, duke qenë në gatishmëri për çdo zhvillim të mundshëm.
