Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme Ruse (SVR) ka akuzuar kompanitë serbe të mbrojtjes për përdorim të dokumentacionit të rremë dhe palëve të treta për të dërguar fshehurazi armë në Ukrainë.
Agjencia e bëri këtë akuzë në një deklaratë të botuar në faqen e saj të internetit të mërkurën, me titull “Industria Serbe e Mbrojtjes po përpiqet ta qëllojë Rusinë pas shpine”.
“Sipas informacionit të marrë nga SVR, firmat serbe të mbrojtjes vazhdojnë të furnizojnë me municion Kievin, në shkelje të ‘neutralitetit’ të deklaruar nga Beogradi”, thuhet në deklaratë.
SVR pretendoi se kompanitë serbe kanë përdorur “certifikata të rreme” për të transportuar armë përmes Polonisë, Republikës Çeke, Bullgarisë dhe vendeve të tjera të NATO-s, si dhe shteteve afrikane të paspecifikuara.
Sipas SVR-së, 100,000 raketa dhe predha, së bashku me një milion fishekë armësh të vogla, janë transferuar në këtë mënyrë. Prodhuesit kryesorë të armëve serbe, përfshirë kompaninë shtetërore Yugoimport-SDPR, dyshohet se ishin bashkëpunëtorë në skemë.
Aleksandar Vuçiq ka komentuar deklaratën, ku pohoi se ka biseduar posaçërisht me presidentin rus, Vladimir Putin, të cilët i ka thënë se nuk ka asgjë të vërtetë.
“Edhe në prani të disa personave nga të dy delegacionet, por edhe në bisedë kokë më kokë. Kemi formuar një grup pune, së bashku me partnerët rusë, për të përcaktuar faktet. Disa nga gjërat që janë thënë nuk janë të vërteta. Për shembull, ata thonë saktësisht se ekziston një kontratë me Çekinë. Por, nuk është dhënë leje dhe asnjë nga raketat nuk është dorëzuar”, siguron presidenti i Serbisë, shkruan N1.
“Por edhe një gjë tjetër: fabrikat tona duhet të jetojnë dhe të funksionojnë. Në industrinë ushtarake punojnë drejtpërdrejt rreth 24 mijë njerëz dhe ata varen nga ajo industri. Aktualisht, armët po i drejtojmë për furnizimin e ushtrisë sonë”, theksoi Vuçiç.
Ai pretendon se ata që më parë e kanë akuzuar si spiun rus, tani po thonë se ka ndërruar anë “jo, zotërinj, ne punojmë vetëm për Serbinë”.
Serbia raportohet se eksportoi 800 milionë euro municion në Ukrainë nëpërmjet vendeve të treta që kur Rusia nisi pushtimin e shtetit ukrainas në vitin 2022.