Mjegulla e dendur ka përfshirë sot në mëngjes rrethin e Lushnjës duke krijuar vështirësi dhe vonesa në qarkullimin rrugor kryesisht në aksin rrugor Pushimi i Shoferit- Divjakë dhe autostradë- Divjakë, ku shikueshmëria ka qënë e ulët dhe rreziku për aksidente i lartë.
Një aksident ndodhi paraditen e sotme pranë rreth rrotullimit të Grabjanit. Dyshohet se drejtuesi i mjetit ka humbur kontrollin për shkak të shpejtësisë si dhe mjegullës dhe është përplasur me trafikndarësen. Mësohet se makina ka pësuar dëmtime të shumta, por vetë drejtuesi ka shpëtuar pa lëndime. Policia ka kryer veprimet hetimore dhe procedurale në vendin e ngjarjes.
Gjithashtu edhe qyteti i Fierit është zgjuar këtë mëngjes i mbuluar nga një mjegull e dendur, e cila ka krijuar vështirësi të ndjeshme në qarkullimin e mjeteve. Në disa akse rrugore brenda qytetit, si edhe në hyrje-daljet kryesore, dukshmëria ka qenë e reduktuar ndjeshëm, duke detyruar drejtuesit e automjeteve të lëvizin me shpejtësi të ulët.
Ndërkohë autoritetet u kanë bërë apel drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor.
