Kryeministrii pare shqiptar i Qeverisë teknike të Maqedonisë së Veriut, zoti Talat Xhaferi u zgjodh sot. Parlamenti i Maqedonisë së Veriut miratoi Qeverinë teknike për më pak se dy orë debat. 65 ligjvënës votuan pro, ndërsa 3 ishin kundër. Qeveria teknike e Xhaferit do të zgjasë 100 ditë dhe ka si detyrë organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve parlamentare të caktuara për 8 maj. Partia e tij, Bashkimi Demokrartik për Integrim e ka quajtur ditën e sotme “ditë historike”.
Zoti Xhaferi prezantoi më herët programin e punës së Qeverisë në parlament. Xhaferi tha se pa marrë parasysh se sa gjatë do të jetë në krye të Qeverisë, ai do të bëjë gjithçka për të përmbushur detyrimet, në përputhje me Kushtetutën dhe pritjet e qytetarëve. Ai tha se do t’i përkushtohet rrugës së integrimit evropian me synim anëtarësimin e vendit në BE deri në vitin 2030.
Kabineti i zotit Xhaferi do të ketë vetëm dy ministra të rinj, që janë përfaqësues të VMRO-së dhe do të drejtojnë Punët e Brendshme, përkatësisht Ministrinë e Çështjeve Sociale si dhe tre zëvendësministra ‘plotësues’, siç njihen me kushtetutë.
