Në seancën e djeshme në Parlamentin Europian, eurodeputeti McAllister theksoi nevojën urgjente për përpjekje të reja nga Shqipëria në luftën kundër korrupsionit dhe për garantimin e pavarësisë së sistemit gjyqësor, të lirë nga ndikimi politik.
Ai shprehu shqetësim për polarizimin e thellë politik në vend dhe për përplasjet mes shumicës dhe opozitës, që sipas tij u reflektuan dukshëm gjatë zgjedhjeve të 11 majit.McAllister denoncoi blerjen e votës dhe keqpërdorimin e burimeve publike nga partia në pushtet, të evidentuara nga vëzhguesit ndërkombëtarë.
FJALA E PLOTË:
Zgjedhjet parlamentare në maj të këtij viti u zhvilluan në një ambient thellësisht të polarizuar. Ka bojkotime të shpeshta të parlamentit, përplasje të vazhdueshme dhe mungesë dialogu të vërtetë.
Siç dëgjuam edhe më herët, misioni ynë i vëzhgimit të zgjedhjeve, i udhëhequr nga kolegu ynë Michael Gahler, konfirmoi se këto zgjedhje ishin konkurruese, por u njollosën nga abuzimi me burimet publike dhe blerja e votës. Zbatimi i kufizuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk arriti të siguronte një fushë loje të barabartë.
Rruga përpara kërkon më shumë sesa rregullime teknike. Ajo kërkon vullnet politik dhe një konsensus të gjerë. Reforma e vërtetë nuk mund të vijë nga një parti e vetme. Ajo kërkon dialog, besim dhe përfshirje midis të gjitha forcave politike shqiptare.
Bashkimi Evropian, dhe veçanërisht Parlamenti Evropian, është i gatshëm të mbështesë përpjekjet e Shqipërisë për reformë.