Ministri ka theksuar nevojën për një sistem drejtësie që dëgjon, mbron dhe përkrah realisht viktimat e krimit. Ai tha se mijëra viktima, kryesisht gra dhe të mitur, kanë përfituar mbështetje konkrete, por ka ende sfida lidhur me trajtimin e njëtrajtshëm të viktimave në procesin penal dhe mungesë të mekanizmave të monitorimi
Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, ka theksuar nevojën për një sistem drejtësie që dëgjon, mbron dhe përkrah realisht viktimat e krimit, gjatë hapjes së Javës Ndërgjegjësuese për Mbrojtjen e Viktimave të Krimit 2026 dhe Forumit Kombëtar me temë “Mbrojtja e Viktimave të Krimit: Një Sistem që Dëgjon, Mbron dhe Përkrah”.
Në fjalën e tij, ministri u shpreh se ky aktivitet nuk është thjesht një moment simbolik institucional, por një reflektim mbi mënyrën se si sistemi i drejtësisë dhe institucionet publike reagojnë ndaj qytetarëve që kanë përjetuar dhunë apo shkelje të ligjit. Ai theksoi se Strategjia Ndërsektoriale për Mbrojtjen e Viktimave të Krimit 2024–2030 synon vendosjen e viktimës në qendër të sistemit, jo si shifër statistikore, por si subjekt me të drejta dhe nevoja konkrete.
Sipas Lamallarit, viti 2024 ka shënuar progres në ndërtimin e mekanizmave institucionalë, me një pjesë të konsiderueshme të masave të strategjisë të zbatuara plotësisht ose pjesërisht, si dhe me organizimin për herë të parë të javës ndërgjegjësuese në disa qytete të vendit. Ndërkohë, në gjysmën e parë të vitit 2025 është vërejtur intensifikim i zbatimit, me rritje të aktiviteteve dhe bashkëpunimit me shoqërinë civile.
Ministri ndaloi veçanërisht te sistemi i Ndihmës Juridike Falas, duke theksuar se mijëra viktima, kryesisht gra dhe të mitur, kanë përfituar mbështetje konkrete. Vetëm gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2025 janë trajtuar mbi 5 mijë raste ndihme juridike parësore, ndërsa janë identifikuar qindra viktima dhune që kanë kërkuar mbështetje. Kjo, sipas tij, tregon një rritje të përdorimit të shërbimeve dhe një nevojë të shtuar për mbrojtje institucionale.
“Pavarësisht ekzistencës së një kuadri të konsoliduar rregullues për trajtimin e viktimave në procedimin penal, të dhënat e monitorimit sugjerojnë se sfida kryesore lidhet me sigurimin e një zbatimi të njëtrajtshëm dhe, mbi të gjitha, me monitorimin efektiv të këtij kuadri në praktikë. Mungesa e mekanizmave të strukturuar monitorimi dhe e indikatorëve të performancës e bën të vështirë vlerësimin sistematik të mënyrës se si viktimat informohen, përfshihen dhe mbrohen gjatë procesit penal. Në këtë kontekst, monitorimi real i praktikës mbetet sfidues, duke kufizuar ndërtimin e një qasjeje plotësisht të bazuar në llogaridhënie institucionale”, deklaroi Ministri i Drejtësisë.
Ai vlerësoi gjithashtu rolin e strehëzave, shërbimeve mbështetëse dhe institucioneve si Ministria e Arsimit dhe Ministria e Brendshme në parandalimin dhe reagimin ndaj rasteve, por theksoi se mbetet punë për t’u bërë në forcimin e koordinimit dhe standardizimin e praktikave në gjithë territorin.
Në analizën e tij, Lamallari nënvizoi se disa institucione të pavarura të sistemit të drejtësisë kanë ende sfida në përmbushjen e pritshmërive, duke përmendur mungesën e standardeve të unifikuara për praktika gjyqësore miqësore ndaj viktimave dhe nevojën për monitorim më të mirë të zbatimit në praktikë. Ai shtoi se këto vërejtje nuk synojnë dobësimin e institucioneve, por rritjen e përgjegjshmërisë dhe maturimit institucional.
Në përfundim, ministri theksoi se suksesi i strategjisë varet nga angazhimi i përbashkët i të gjitha institucioneve dhe aktorëve shoqërorë, duke bërë thirrje që drejtësia të matet jo vetëm nga ndëshkimi i autorit, por edhe nga mënyra se si trajtohet viktima.
