Një grabitje ka ndodhur ditën e djeshme në Carrabreg të Deçanit, ku për tre orë disa autorë kanë vjedhur shtëpinë e një qytetari.
Nga ora 15:00 deri në 18:00, persona të panjohur kanë depërtuar në shtëpinë e M. K., pronar i një furre buke, duke hyrë përmes një dritareje të katit të dytë dhe kanë marrë kasafortën e hekurt që ndodhej në dhomën e fjetjes.
Media e Kosovës “Gazeta Express” raporton se sipas pronarit tw banesws, brenda kasafortës ndodheshin 150 mijë euro para cash, si dhe stoli ari në vlerë rreth 6 mijë euro.
Ai ka deklaruar se këto para i kishte kursyer nga biznesi ndër vite, ndërsa një pjesë ia kishin dhënë miqtë e tij për shërimin e nipit jashtë vendit, në Turqi.
Në vendngjarje kanë dalë njësitë e hetimeve të stacionit, të cilat kanë njoftuar prokurorin kujdestar, hetimet rajonale, forenzikën dhe kanë kërkuar edhe angazhimin e njësisë K-9. Deri tani nuk ka persona të dyshuar, ndërsa rasti është nën hetime.
