Fletët e votimit të diasporës, të prodhuara në Slloveni, kanë mbërritur në Shqipëri, ku do të fillojë procesi i përgatitjes të zarfave që do të nisen në drejt shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit. Sasia totale e fletëve të votimit që do të prodhohet për zgjedhjet për Kuvend, duke shtuar 2% mbi numrin e zgjedhësve, është 3,534,000 fletë votimi, ku përfshihen fletët e votimit për brenda dhe jashtë vendit. Përgatitja e zarfave të diasporës do të jetë e monitoruar gjatë gjithë kohës me kamera dhe do të transmetohet në live stream. Parashikohet që ky proces të përfundojë brenda datës 15 prill. Sipas një njoftimi të komisionerit Ilirjan Celibashi, parashikohet që zarfat me fletët e votimit të mbërrijnë tek zgjedhësit në Europë nga data 15 deri më 22 prill dhe në kontinentet e tjera brenda datës 25 prill. Është përzgjedhur një kompani e shërbimit postar që e ka dërgesën të gjurmueshme. Emigrantët nuk do e gjejnë fletën e votimit në kutinë postare, por postieri do të trokasë maksimalisht tre herë në banesën e tyre, deri në momentin kur vetë zgjedhësi i regjistruar të paraqesë mjetin e identifikimit dhe të firmosë për të marrë zarfin me fletën e votimit. Në rast se votuesi nuk gjendet në adresën e deklaruar pas tre tentativash, postieri do i lejë një shënim në derën e banesës ku e fton të paraqitet në zyrën postare për ta marrë personalisht fletën e votimit. Pakoja që do i dërgohet emigrantëve do të përmbajë tre zarfe, një udhëzues dhe një numërator. Zgjedhësi do të gjejë zarfin B, i cili përmban një barcode unik, dhe zarfin A brenda të cilit gjendet fleta e votimit. Në asnjë moment në fletën e votimit nuk mund të zgjidhet njëkohësisht një subjekt politik dhe kandidati i një subjekti tjetër. Pas plotësimit të vlerës së votimit sipas udhëzimit që do u dërgohet, emigrantët duhet ta vendosin atë brenda zarfin A, i cili duhet vendosur në zarfin B dhe të gjitha së bashku të vendosen te zarfi tjetër i postës që ju është dërguar. Më pas në numërator të gjejnë numrin e shërbimit postar në shtetin ku ndodhen dhe të kontaktojnë postierin për të dorëzuar sërish personalisht fletën e votimit. Kjo është hera e parë që Shqipëria teston votën e diasporës.