27 mijë maturantë në të gjithë vendin iu nënshtruan këtë të martë provimit të dytë të Maturës Shtetërore, atij të Gjuhë Letërsisë.
Testimi i 597 maturantëve lushnjarë nisi në orën 10:00, në 4 qendrat e përgatitura për ta, shkollat “18 Tetori”, “Skender Libohova”, “4 Dëshmorët”, “Vath Korreshi” dhe vazhdoi për 2 orë e 30 minuta. Nxënësit vetëm me kartën e identitetit dhe stilolapsin u paraqitën një orë e 30 minuta para nisjes së provimit në 10:00.
Por përsëri u publikuan në rrjetet sociale tezat e provimit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë.
Ministria e Arsimit reagoi duke theksuar se procesi nuk cënohet.
“Provimi i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë po kryhet sipas standardeve, nuk cenohet procesi. Ministria e Arsimit dhe Sportit garanton se janë marrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar mbarëvajtjen e procesit të provimeve dhe për të ruajtur integritetin e tij të plotë. Publikimi i tezës së provimit të lëndës Gjuhë shqipe dhe Letërsi, pas fillimit të procesit të testimit nuk e cenon aspak ecurinë dhe besueshmërinë e procesit të provimit të Maturës Shtetërore. Rreth 27 mijë maturantë, në 145 qendra provimi në të gjithë vendin, po zhvillojnë provimin e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë në kushte të qeta dhe në përputhje me të gjitha standardet e sigurisë të parashikuara në rregulloren e Maturës. Institucionet arsimore, në bashkëpunim me MAS-in, mbeten të angazhuara për të ofruar një proces të drejtë, të barabartë dhe transparent për çdo maturant”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Arsimit.
Provimi i parë ishte ai i gjuhës së huaj, që u zhvillua në 3 qershor. Ndërkohë, më 17 qershor, maturantët do të vijojnë me matematikën dhe do të mbyllin sezonin me provimin me zgjedhje në 24 qershor.