Lajmi më i diskutuar dje dhe që vazhdon sot e me siguri në ditët në vazhdim është marrëveshja e firmosur të hënën pasdite në Romë mes kryeministres italiane Giorgia Meloni dhe kryeministrit Edi Rama për ngritjen në Shqipëri, brenda pranverës, të dy qendrave për pritjen e migrantëve që nga Lindja e Mesme dhe veriu i Afrikës. Qeveria italiane synon që falë procedurave të shpejta, ajo të mund të trajtojë në këto dy struktura deri në 36 mijë persona në vit, të cilët do të qëndrojnë aty deri në përfundimin e përshpejtuar të procedurave për trajtimin e kërkesave për azil dhe sipas rastit edhe për qëllim riatdhesimi. Struktura e parë do të jetë në portin e Shëngjinit, ndërsa e dyta në Gjadër,
Qeveria italiane shpjegoi se nuk bëhet fjalë për migrantët që mbërrijnë në tokën e saj, por për atë kategori që rrezikohet gjatë lundrimit në det dhe shpëtohet nga anijet e ushtrisë apo Guardia di Finanza italine që patrullojnë në Mesdhe, apo dhe nga mjetet lundrues të organizatave humanitare. Nga kjo marrëveshje janë të përjashtuar minorenët, gratë shtatzëna dhe subjektet vulnerabël.
Zonja Meloni në konferencën e përbashkët para gazetarëve u shpreh se “marrëveshja me Shqipërinë ka tre objektiva, që nga lufta kundër trafikut të qënieve njerëzore, parandalimi i flukseve të paligjshme migratore e pritjen vetëm të atyre që realisht përfitojnë nga e drejta e mbrojtjes ndërkombëtare”.
Kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria është borxhlije ndaj Italisë dhe se po e bënte këtë më së shumti si një shenjë mirënjohje për gjithë ndihmën e saj pas viteve ’90. “Nëse Italia thërret, Shqipëria përgjigjet”, theksoi ai.
Menjëherë pas bërjes publike të marrëveshjes në Itali dhe në Shqipëri vërshuan notat kritike nga opozita. Në Itali dyshohet se me këtë marrëveshje Roma po synon të anashkalojë detyrimet ndërkombëtare, që lidhen kryesisht me të drejtën e azilit. Kurse në Shqipëri ky akt i Kryeministrit shqiptar është quajtur Tradhëti.
[lazy-load-videos-and-sticky-control id=”Gq0Zijltxz8″]
