Zbatimi i Marrëveshjes së Uashingtonit do të krijonte klimë më të mirë ekonomike dhe politike për Kosovën, duke çuar drejt marrëveshjës përfundimtare me njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, thotë ish-kryeministri Avdullah Hoti. Ai ka cilësuar se qeveria që do të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit duhet ta marrë seriozisht këtë dokument.
Marrëveshja e Uashingtonit i siguroi Kosovës njohjen nga shteti i Izraelit, ndërkaq pikat që kanë të bëjnë me krijimin e linjave ajrore dhe hekurudhore në mes të Kosovës dhe Serbisë, nuk janë zbatuar. Hoti kritikon qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti edhe për “cenim të aleancave kryesore”, në veçanti me Shtetet e Bashkuara.
