100 vrapues të distancave të gjata nga Franca kanë marrë pjesë në maratonën “KALORËSJA E ARNISËS” në pyllin e Divjakës. Maratona në Divjakë u organizua nga shoqata sportive jofitimprurëse ” Maraton Albania” ku vrapues të moshave të ndryshme nga Franca si dhe nxënës të shkollave të Divjakës kanë vrapuar në shtegun e Vaut, 12 kilometra. Itinerari përfshinte kalimin në pyll, në shtegun e Vaut deri në lagunë. Organizatorët shprehen se të impresionuar nga bukuritë e Divjakës kanë sjellë këtu vrapuesit dhe kjo do të jetë një kartolinë e bukur për turizmin.
Atletët francezë që vizitonin për herë të parë Shqipërinë mbetën të mrekulluar nga natyra nëpër të cilën vrapuan, por njëkohësisht edhe të keqardhur pasi nuk patën mundësi të shijonin faunën e pasur të parkut për shkak të angazhimit në garë.
Maratonën 12 kilometra, me kohën 54 minuta e 19 sekonda e fitoi atleti Adrien Penalba.
Aktivitete të tilla shërbejnë për të nxjerrë në pah vlerat turistike të Parkut Kombëtar Divjakë Karavasta.
