Mandati i fituar nga koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet në zgjedhjet e 11 majit ka ndezur një debat të fortë mes dy palëve të këtij bashkëpunimi, Nismës Thurje dhe Lëvizjes Shqipëria Bëhet të drejtuara respektivisht nga Endrit Shabani dhe Adriatik Lapaj.
KNSHB fitoi mandatin e vetëm të këtyre zgjedhjeve në qarkun e Tiranës. Marrëveshja ishte e tillë që emrat e listës së mbyllur, e cila përbehet nga të afërm të kandidatëve, do të jepnin dorëheqje si një artificë që kandidatët e listës së hapur të ishin ata që garonin për mandatet.
Megjithatë Lapaj premtoi publikisht se nëse koalicioni do të merrte vetëm një mandat, ai nuk do ta pranonte, por pas zgjedhjeve kjo retorikë ndryshoi.
Ka qenë më pas daja i Endrit Shabanit, Zeqir Kordhoni, i renditur i nënti në listën e mbyllur, i cili ka kërkuar në KQZ tërheqjen nga dorëheqja, çka do të bënte që mandati t’i kalonte atij në rast se të gjithë emrat e listës së mbyllur do të hiqnin dorë nga mandati i deputetit.
Sipas raportimit nga KQZ mandati i shkon Ana Dajkos, që është listuar e para në listën e mbyllur të koalicionit Nisma Shqipëria Bëhet në Tiranë.
Në zgjedhjet e 11 majit, Adriatik Lapaj ka marrë mbi 6000 vota dhe Endrit Shabani rreth 3000 vota, ndërsa pritet se cili do të jetë vendimi i kreut të KQZ për ndarjen e mandatit në vijimësi.
Në rast se mandati do t’i kalojë Ana Dajkos, pritet që me nisjen e legjislaturës së re mund të ketë dorëheqje dhe më pas të ndiqet procedura e kalimit të mandatit në listën shumë-emërore.
Megjithatë duket se ky rast pritet t’i japë fund bashkëpunimit politik mes Lapajt dhe Shabanit.