Të ardhurat në buxhetin e shtetit kanë arritur nivele historike në dy muajt e parë të vitit, duke reflektuar sipas qeverisë efektet e reformave dhe mirëadministrimit fiskal.
Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi se për periudhën janar-shkurt janë mbledhur 130 miliardë lekë, ose 11.5% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë, ndërsa theksoi se kjo ecuri pozitive pritet të vijojë edhe në muajt në vijim.
“Të ardhurat kanë arritur nivele historike si rezultat i reformave strukturore dhe të mirë administrimit. Por edhe për shkak të ndërgjegjësimit të qytetarëve dhe bizneseve. Do përktheheshin lehtësisht në ndërtimin e 8 spitaleve rajonale, ndërtimin e mbi 60 shkollave dhe në një rritje më të madhe të mirëqenies për qytetarët shqiptare. Ecuria e mbledhjes së të ardhurave është pozitive dhe shumë premtuese.
Totali i të ardhurave në dy muaj, 130 mld lekë. Nëse do krahasojmë janar-shkurt 2025, rritja është 11.5% më shumë. Tendenca do vijojë të jetë pozitive, ekonomia shqiptare po performon mirë, por nga ana tjetër kemi formalizm më të madh te sektorëve në tregun shqiptar”, tha Malaj.
Në të njëjtën kohë, administrata tatimore ka shtuar kontrollet ndaj evazioit fiskal. Gjatë vitit 2025 janë zhvilluar 168 hetime për mashtrim tatimor, 20% më shumë se një vit më parë, ndërsa janë identifikuar mbi 62 milionë euro të ardhura të padeklaruara.
“Ecuri të Mirë të Planit të Rritjes, janë angazhime që i kemi përmbushur edhe para afateve të dakordësuara. Për vitin 2025 kemi 168 hetime kundër mashtrimit tatimor, kemi rritje të hetimit me rreth 20% krahasuar me vitin 2024. Kemi hetuar 200 individë të vlerësuar me risk nga Administrata Tatimore. Janë audituar 100 individë të pasur dhe 101 individë duke përdorur të dhëna nga palët e treta ku janë identifikuar 62.8 mln euro që lidhen me mos deklarimin e të ardhurave personale”, theksoi Malaj.
Pas turizmit, ndërtimi dhe tregut të hidrokarbureve, Malaj njoftoi se do të nisë kontrolli për formalizimin e sektorit mjekësor dhe atij të kujdesit personal dhe estetik, të cilët konsiderohen me risk të lartë për evazion.
“Hapi i radhës do jetë kontrolli i sektori mjekësore dhe atij të kujdesit personal dhe estetik. Sektorë që e kemi identifikuar me risk të lartë dhe do jetë objekt i punës së administratës tatimore në muajt në vijim”, tha Petrit Malaj.
