Pak ditë para 21 Janarit, Ditës së Kongresit të Lushnjës, Bashkia e Lushnjës ka ndërmarrë një ndërhyrje të rëndësishme estetike me lyerjen me bojë të pjesëve anësore të stolave në zonën më të frekuentuar të qytetit për të krijuar një mjedis më të këndshëm për të gjithë. Punonjësit e Ndërmarrjes së Punëve Publike filluan punën me pastrimin e skulpturës simbol të qytetit “Djali mbi buallicë”, të cilën prej kohësh nuk e kishim parë kaq të pastër. Më pas u vazhdua me lyerjen e stolave të lulishtes dhe të stolave tek rruga e Shtëpisë Kongres.
Sipas Drejtorit të kësaj ndërmarjeje Elson Zeka do të vazhdojnë me lyerjen e të gjithë stolave në lulishte, në bulevardin kryesor, në qendër etj për t’i dhënë qytetit një atmosferë më mikpritëse dhe tërheqëse për banorët dhe vizitorët.
Që kur janë vendosur stolat nuk është ndërhyrë asnjëherë për lyerjen e tyre me bojë, por ishin lënë të pistë, të zverdhur nga shiu dhe dielli duke prishur pamjen estetike të qytetit dhe duke u vrarë sytë qytetarëve që uleshin për të kaluar kohën e lirë në këto hapësira të dedikuara pushimit me mosruajtjen e higjienës nga ana e bashkisë.
Ky aksion për përmirësimin e hapësirave publike ka për qëllim të përcjell edhe mesazhin për mirëmbajtjen e qytetit.
