Sot u luajt finalja e kampionatit të parë të minifutbollit për vajza, ndërmjet shkollave 9 vjeçare publike e jopublike të bashkisë Lushnjë. Skuadra e shkollës Karbunarë e Vogël fitoi kampionatin në të cilin morën pjesë 8 shkolla me rezultatin 1-0 në finale me ekipin e futbollit “Iliria”.
Në ceremoninë e ndarjes së medaljeve ishte e pranishme Kryetarja e bashkisë Eriselda Sefa, Drejtorja e Zyrës Vendore të Arsimit Parauniversitar Arta Dhamo, Myftiu i rrethit Lushnjë Gramos Bliku etj.
Çertifikatat iu ndanë të gjitha shkollave pjesëmarrëse mes një atmosfere me energji e emocione nga nxënësit, mësuesit dhe prindërit që ndoqën kampionatin. Lojtarja më e mirë e turneut u shpall Amelia Bufazi dhe portierja më e mirë Orgesa Seferasi e shkollës Karbunarë e Vogël.
Drejtori i Qendrës Kulturore të Fëmijëve Saimir Bahja falenderoi shkollat pjesëmarrëse në këtë aktivitet.
