Ndodh arrestimi i parë për korrupsion aktiv në zgjedhje në Lushnjë. 38 vjeçari i premtoi një shtetasi, dhënien e një shume parash, dyshohet për t’i blerë votën në interes të një subjekti politik. Sekuestrohet karta e identitetit e shtetasit që i ishin premtuar paratë.
Sipas Policisë së Lushnjës u arrestua në flagrancë shtetasi M. L., 38 vjeç, banues në Lushnjë, për veprat penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” dhe “Marrja dhe përdorimi i paligjshëm i dokumentit të identifikimit”.
Nga hetimet e kryera në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit, dyshohet se shtetasi M. L. i ka marrë shtetasit M.T., kartën e identitetit, si dhe i ka premtuar dhënien e një shume parash, dyshohet me qëllim blerjen e votës në favor të një subjekti politik, pjesëmarrës në zgjedhjet parlamentare të datës 11.05.2025. M. T. e ka denoncuar në polici M.L. vetëm disa orë pasi kishte rënë dakord me të se do t’i jepte vota në këmbim të parave.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për veprime të mëtejshme.
Ndërkohë ka reaguar Shtabi i PD-së në qarkun Fier duke i quajtur sajesa të turpshme dhe manipulim i opinionit publik nga Policia e Shtetit, ku kërkon edhe hetim nga Prokuroria e Posaçme Anikorrupsion.
“Sajesat e turpshme si të Sigurimit të Shtetit as na ndikojnë, as na shfokusojnë nga misioni ynë për të bërë më të mirën për Shqipërinë. Ne distancohemi nga çdo krim elektoral dhe jemi në krye të betejës kundër shkeljeve të ligjit në zgjedhje. Manipulimet e opinionit publik të kryer nga Policia e Shtetit, një bandë në shërbim të Belinda Ballukut, duhet të marrin përgjigje nga Prokuroria e Posaçme. SPAK duhet të hetojë menjëherë rastin dhe të vendosë para përgjegjësisë cilindo që ka shkelur ligjin.
Ne kemi besim të plotë tek SPAK për zbardhjen e këtij rasti, ku po keqpërdoret Policia e Shtetit për propagandë bajate kundër PD. Sajesa e trashë, qesharake dhe e turpshme e Policisë së Shtetit është bërë për llogari të PS dhe Belinda Ballukut për të zhurmuar krimin elektoral të detyrimit të administratës për të marrë pjesë në mitingjet e PS. 35 fletëthirrje janë dërguar tek strukturat e Partisë Socialiste për krime zgjedhore vetëm ditën e djeshme për këtë krim elektoral. Ne inkurajojmë Prokurorinë e Posaçme që të vijojë punën për goditjen e çdo krimi zgjedhor në qarkun Fier”, thuhet në reagim.