Policia e Lushnjës ka arrestuar një 50-vjeçar i identifikuar si Vladimir Çela pasi mbante armë dhe municion luftarak në banesën e tij në Karbunarë.
Blutë kanë sekuestruar 1 armë zjarri pistoletë, 1 armë zjarri kallashnikov, 1 armë gjahu çifte, 3 krëhëra dhe dhjetra fishekë luftarak.
Sipas njoftimit të Policisë:
U finalizua operacioni policor “Strike” për goditjen e një rasti të armëmbajtjes pa leje.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacioneve të siguruara në rrugë operative se një shtetas mbante armë zjarri pa leje në banesën e tij, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Strike”.
Në kuadër të këtij operacioni, u ushtrua kontroll i befasishëm në banesën e shtetasit V. Ç. ku gjatë kontrollit u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri pistoletë, 1 armë zjarri kallashnikov, 1 armë gjahu çifte, 3 krëhëra me fishekë dhe municion luftarak.
Në përfundim të veprimeve procedurale, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit V. Ç., 50 vjeç, banues në Karbunarë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier për veprime të mëtejshme.