Pas dy arrestimeve për vjedhje në qytetin e Lushnjës, një tjetër tentativë për vjedhje është zbuluar dhe ndaluar nga policia e Lushnjës. 48-vjeçari me precedent të theksuar, për këtë krim u vendos në pranga, gjatë tentativës për të vjedhur 1 automjet.

Policia ka sekuestruar mjetet me të cilat ai po ndërhynte në centralinën e automjetit, me qëllim vjedhjen.

Sipas policisë ditën e djeshme, në lagjen “Çlirimi”, shtetasi G. K. synonte të vidhte një automjet tip “BMW”, duke ndërhyrë në centralinën e tij. Shtetasi u konstatua nga pronari i automjetit dhe menjëherë u kap nga shërbimet e Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Lushnjë që po patrullonin në zonë.

Në përfundim të veprimeve procedurale për rastin, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë kryen arrestimin në flagrancë të shtetasit G. K., 48 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Vjedhja”, mbetur në tentativë.

Gjithashtu, vijojnë hetime për të zbardhur vjedhje të tjera që mund të ketë kryer 48-vjeçari.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds