Një dasmë e zhvilluar disa ditë më parë në qytetin Sanliurfa, në Anadollin Juglindor të Turqisë, ka tërhequr vëmendje të madhe në rrjetet sociale, duke u bërë virale për shkak të luksit të jashtëzakonshëm dhe skenave të pazakonta gjatë ceremonisë. Në këtë dasmë madhështore, nusja u stolis me bizhuteri ari me peshë disa kilogramë, aq sa në një moment nuk arriti më ta mbante peshën dhe u detyrua të ulej. Ndërkohë, të ftuarit garonin me njëri-tjetrin duke hedhur shuma të mëdha parash drejt çiftit, ndërsa ceremonia zgjati deri vonë në orët e natës.
Bëhet fjalë për martesën e avokatit 26-vjeçar Kahraman Zulfikar Izol, nip i ish-deputetit të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) në Sanliurfa, Zulfikar Izol, me avokaten 25-vjeçare Nazdar Barzani, mbesë e përfaqësuesit të Irakut në Turqi, Mesut Barzani.
Dasma mblodhi mijëra të ftuar dhe figura të njohura e me ndikim nga rajoni. Të pranishmit u rreshtuan rreth nuses dhe dhëndrit, duke hedhur tufa me para, të cilat më pas mblidheshin nga zyrtarë të caktuar dhe futeshin në kuti të posaçme. Gara për të dhuruar më shumë para dhe bizhuteri ishte një nga momentet më të spikatura të ceremonisë.
Nusja u mbulua me monedha ari, rrip ari, gjerdanë, unazë diamanti dhe një kurorë ari, duke krijuar pamje që u shpërndanë gjerësisht në rrjetet sociale. Ceremonia u celebrua nga Kryetari i bashkisë së Siverekit, Ali Murat Bucak.
Pas përfundimit të dasmës, të ftuarit nga Iraku u rreshtuan për të dorëzuar bizhuteritë e arta që kishin sjellë, të vendosura në kuti të veçanta, duke e kthyer ngjarjen në një simbol të traditës, pasurisë dhe spektaklit që karakterizon dasmat luksoze në rajon.
