Pastrimi i parave nga grupet e krimit të organizuar vlerësohet si një nga rreziqet kryesore për sigurinë dhe ekonominë e Shqipërisë, e megjithatë, vendi përballet me probleme të shumta në luftën kundër aseteve të paligjshme.

Edhe pse statistikisht numri i pasurive të sekuestruara apo të konfiskuara ka pësuar rritje gjatë viteve të fundit, institucionet po hasin vështirësi në administrimin e këtyre pasurive apo heqjen e tyre nga duart e krimit të organizuar.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, gjatë pesë viteve të fundit u sekuestruan apo konfiskuan asete me vlerë tregu prej rreth 182 milionë eurosh, të investuara kryesisht në biznesin e ndërtimit, në pasuri të paluajtshme apo në kompani tregtare.

Përveç sektorëve tradicionalë të pastrimit të parave, Musabelliu thekson se krimi i organizuar po investon së fundmi edhe në kriptovaluta.

Megjithatë, jo të gjitha pasuritë e sekuestruara menaxhohen nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e tyre vazhdojnë të përdoren nga pronarët e mëparshëm.

Agjencia tha se menaxhon aktualisht 2484 asete në total me një vlerë të llogaritur në 1.7 miliardë lekë ose më pak se 10% e vlerës së deklaruar nga SPAK. Mes tyre, 667 pasuri ose 27% të totalit nuk janë marrë ende nën administrim.

Probleme ligjore janë shfaqur gjithashtu me procedurat e dhënies me qira të apartamenteve të sekuestruara apo administrimin e kompanive të biznesit. Sipas një raporti të Kontrolli të Lartë të Shtetit, shqetësimi kryesor është se në disa raste, pronarët që janë subjekte të vendimeve gjyqësore, vazhdonin t’i administronin këto asete në mënyrë të kundraligjshme.

Raste të tilla pranohen edhe nga administratorët e pasurive të sekuestruara, të cilët thonë se janë duke ndërmarrë masa që dukuri të tilla të shmangen.

Bashkimi Europian sugjeron përdorimin për qëllime sociale të pronave të krimit të organizuar, por rezultatet në këtë drejtim kanë qenë të limituara. Përfaqësuesit e shoqërisë civile që monitorojnë këtë proces shprehin shqetësimin për mungesën e garancive ligjore që pengon rikthimin e këtyre pronave te anëtarët e grupeve kriminale.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *