Gjuha shqipe është tashmë lëndë me zgjedhje në departamentin e gjuhëve dhe qytetërimeve të Lindjes së afërt në Universitetin e Harvardit.
Ishte studentja shqiptaro-amerikane Edona Çosoviç ajo që verën e vitit të kaluar parashtroi kërkesën që gjuha shqipe të bëhej pjesë e studimeve në Universitetin prestigjioz amerikan.
Studentja e Shkencave Politike ka lindur në Shtetet e Bashkuara nga prindër shqiptarë të Malit të Zi.
Edona thotë se ishte dëshira për të studiuar më shumë mbi origjinën e saj ajo që e shtyu të kërkonte përfshirjen e programit të gjuhës shqipe në Harvard. Ajo është një nga drejtueset e shoqatës së studentëve shqiptaro-amerikanë në Harvard dhe thotë se për momentin në Harvard janë 12 studentë shqiptaro-amerikanë.
Ky rrjet është një dritare informimi për të gjithë studentët e rinj shqiptarë, që duan të studiojnë në këtë universitet. Eshtë viti i parë që gjuha shqipe jepet si lëndë mësimore në Harvard dhe aktualisht ka 5 studentë, 3 prej tyre shqiptaro-amerikanë.
Harvardi është i vetmi ndër universitet më të njohura prestigjioze amerikane, që ofron gjuhën shqipe. Veç tij, gjuha shqipe mësohet në disa institucione të tjera amerikane si Universiteti Shtetëror i Arizonës, Universiteti DePaul dhe Kolegji Mercy në Nju Jork.
