Listat e shpallura për kandidatët për deputetë për zgjedhjet e pritshme politike të 11 subjekteve zgjedhore, parti e koalicione nxitwn debate, sidomos listat e Partisë Socialiste dhe Partisw Demokratike.
Komiteti Shqiptar i Helsinkit në një koment për Zërin e Amerikës, mbi procesin e hartimit të listave nga partitë, u shpreh se vëren një zbehje të nivelit të brendshëm të demokracisë.
Në listën e kandidatëve të PS, vihet re se ka një përpjekje për të ripërtërirë me 50% grupin parlamentar. Vetëm 16 deputetë ose 21% e grupit janë përfshirë në listat e mbyllura ose të sigurta, më shumë se 30% nuk janë pjesë e listave dhe afro 45% bëjnë pjesë tek listat e hapura, ku pjesa dërrmuese rrëzikojnë të humbasin për shkak të garës së fortë, për pak vende.
Në qarkun e Tiranës, në listën e hapur nga e cila mund të dalin 6 mandate, sipas rezultateve të vitit 2021, janë në garë 37 emra, nga të cilët 16 janë ministra dhe deputetë aktualë me karrierë politike.
Nga ana tjetër PD, me një koalicion të gjerë partish duket se është përpjekur të ruajë në lista në një masë të konsiderueshme bërthamën e grupit parlamentar, dhe gjithashtu t’u sigurojë dhe aleatëve, disa vende si në listën e mbyllur ashtu dhe në atë të hapur. Një e treta e listës së mbyllur në Tiranë i është lënë aleatëve.
Në listat e sigurta të PD figurojnë 16 deputetë aktualë të PD ose gati 30% e grupit parlamentar dhe në ato të hapura 8 të tjerë, ose 15% e grupit. PD në këto zgjedhje shkon pas disa zhvillimeve të rëndësishme në radhët e saj. Përplasjet e gjatë brenda saj prodhuan realitete të reja politike, që do të garojnë më vete më 11 maj.
Në analizat mbi përmbajtjen e listës së kandidatëve të PD njohës të zhvillimeve politike po i kushtojnë vëmendje ndikimit që pati në këtë listë rezultati i primarëve, ku anëtarësia dha pëlqimin e vet.
Përtej debatit mbi listat, në vigjilje të kësaj fushate, vëzhguesit e politikës janë të mendimit se vëmendja duhet të shkojë tek ofertat e partive, dhe ndikimin që ato duhet të kenë në orientimin e votës tek qytetarët.
