Shqipëria renditet në vendin e 80-të në raportin vjetor për lirinë e shtypit të organizatës Reporterët pa Kufij, duke shënuar ngritje krahasuar me vitin 2024, kur u vlerësua me pozitën e 99-të.

Raporti gjeti se peizazhi mediatik në Shqipëri ashtu si në Greqi e cila renditet e 89-ta përshkruhet nga konfliktet e interesit.

Kosova nga ana tjetër ka shënuar rënien më të madhe në 15 vitet e fundit në indeksin vjetor për lirinë e shtypit të organizatës Reporterët pa Kufij, duke u renditur në vendin e 99-të në botë nga 180 shtete.

Ky është viti i dytë radhazi që Kosova shënon rënie, pasi në vitin 2024 ra nga vendi i 56-të në atë të 75-të.

Në raportin e publikuar nga Reporterët pa Kufij, më 2 maj, në prag të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, Kosova renditet më keq në zonën e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.

Raporti i Reporterëve pa Kufij gjeti se në Kosovë, Sllovaki, Bosnje e Hercegovinë dhe Serbi, mediat janë duke u përballur me krizë ekzistenciale për shkak të shkurtimeve buxhetore dhe kontrollit politik.

Nga vendet e tjera të Ballkanit, Mali i Zi renditet në vendin e 37-të, pastaj Maqedonia e Veriut në vendin e 42-të, Bosnje e Hercegovina e 86-ta dhe Serbia e 96-ta.

Raporti thekson gjithashtu se media të pavarura në Evropë dhe në Azinë Qendrore po përballen me një krizë ekonomike të paparë, e përkeqësuar nga ndalimi i menjëhershëm i ndihmës amerikane dhe ndikimi gjithnjë e më i madh i propagandës ruse.

Raporti përmend, ndër të tjera, edhe përpjekjet e administratës së presidentit amerikan, Donald Trump, për pezullimin e financimit të Radios Evropa e Lirë.

“Shkurtime të buxhetit gjatë administratës Trump – veçanërisht pezullimi i financimit për Radion Evropa e Lirë dhe Agjencinë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar [USAID] – kanë dobësuar rëndë një sektor tashmë të brishtë, veçanërisht në vendet që përballen me regjime autoritare, korrupsion dhe luftë”, thuhet në raport.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *