Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një bashkëbisedim me shqiptarët në Federatën Pan-Shqiptare VATRA në New York ka folur për marrëdhënien e tij me homologun e tij shqiptar, Edi Rama. Kurti gjatë fjalës së tij u shpreh se ai po përpiqet që të “edukojë” Ramën dhe aleatët ndërkombëtarë.
Ai theksoi se dallimet me Ramën, ashtu si me ndërkombëtarët kanë të bëjnë rreth qëndrimit karshi Serbisë.
“Unë kam dallime me kryeministrin Rama, kam dallime jo rrallë edhe me partnerët tanë. Por në përgjithësi, mund të them që këto dallime kanë të bëjnë për qëndrimin karshi Beogradit zyrtar. Aty dallojmë. Këtu po dallojmë. Nuk mund ta fsheh këtë gjë.
Unë përpiqem që t’i informoj e t’i formoj e t’i edukoj me të gjitha aftësitë e mia, por ato nuk janë të pakufishme. Prandaj, dallimet që i kemi, i kemi vetëm sa i përket qëndrimeve dhe qasjeve tona karshi Serbisë”, tha ai.
