4 bashkëpunëtorë (të afërm të njëri-tjetrit, 2 prej tyre babë e bir) vihen në pranga për kultivimin në një pronë publike, të bimëve narkotike cannabis sativa. F. Gj., 24 vjeç, E. GJ., 31 vjeç, H. Gj., 61 vjeç dhe M. Gj., 34 vjeç, të katërt banues në fshatin Biçakaj, Lushnjë.
Si rezultat i një hetimi njëmujor, të ndjekur me metoda speciale, në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit, në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, për një rast të kultivimit të bimëve narkotike, në fshatin Murrizë, Lushnjë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Lidhja”.
Në kuadër të këtij operacioni, gjatë kontrolleve në territorin e këtij fshati, në një pronë publike, u gjetën të kultivuara 87 bimë narkotike cannabis sativa, të cilat në përfundim të veprimeve procedurale, u asgjësuan nëpërmjet djegies.