Dënohet me 25 vjet burgim shtetasi Xhevair Veizi një 67-vjeçar nga Berati, pasi ka abuzuar seksualisht me një vajzë të mitur 12-vjeçare.
Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Fier, në përfundim të gjykimit u shpall fajtor dhe u dënua me 25 vjet burg shtetasi Xhevair Veizi për veprën penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur”.
Në kuadër të hetimeve për veprat penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur”, “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Mbajtja pa leje, prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, rezultoi e provuar se, shtetasi Xh. V, duke përfituar nga gjendja ekonomike e familjes së të miturës dhe nga njohjet që ato kishin, e ka ftuar në banesë të miturën dhe mandej ka përfituar nga gjendja e saj vulnerabël duke kryer marrëdhënie seksuale me të. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Lushnjë në vitin 2023.
Në kuadër të këtij procedimi i pandehuri Xh.V u arrestuar në flagrancë më datë 12.01.2023. Gjatë arrestimit, në banesë u gjetën dy armë dhe municion luftarak. Përveç akuzave për abuzim, ai është hetuar edhe për shfrytëzim prostitucioni dhe armëmbajtje pa leje.
Pas përfundimit të hetimeve, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka dërguar për gjykim të pandehurin Xh.V, për veprën penale “Marrëdhënieseksuale ose homoseksuale me të mitur” parashikuar në neni 100 i Kodit Penal. Ndërkohë, për veprat e tjera është ndarë procedimi penal.
