Kryeministri Edi Rama hapi zyrtarisht fushatën dje në Lushnjë. Rama i shoqëruar nga drejtuesja e qarkut, Fier, Belinda Balluku ka zhvilluar një takim me mësuesit e Lushnjës dhe më pas me qytetarët. Ai tha se PS e ka dhënë provën e fortë të zbatimit të reformës në drejtësi.Gjatë fjalës së tij, Rama u pyet se sa do rritet paga e mësuesit gjatë mandatit të tij të katërt, por ai nuk u përgjigj duke thënë se është pjesë e projektit.
Gjithashtu ai komentoi edhe protestën e organizuar nga opozita për mbylljen e TikTok duke e quajtur të pakonceptueshme thirrjen e kreut të PD Sali Berisha për të rinjtë që të ishin pjesë e protestës për rikthimin e platformës.
Ai ironizoi edhe një video të Bashës duke thënë se është i gëzuar që është rivënë në kontakt me Bashën, se nuk shtyhet fushata pa të.
Kryetarja e Bashkisë Lushnjë Eriselda Sefa që shoqëronte Kryeministrin Rama u shpreh e sigurtë në fitoren e 11 majit.
Më pas Kryeministri Edi Rama bashkë me Zëvendëskryeministren Belinda Balluku drejtuese politike e PS në Fier, vizituan një fermë në Divjakë nga ku paralajmëroi ndryshimin e skemës së subvencioneve në blegtori.