Partia Demokratike ka propozuar në Kuvend një paketë ligjore për uljen e çmimit të naftës, pas krizës së shkaktuar nga konflikti në Lindjen e Mesme.
Deputeti i Partisë Demokratike, Eno Bozdo, në një deklaratë për shtyp tha se shqiptarët sot paguajnë 125 lekë taksë për çdo litër naftë, më shumë se çdo vend tjetër.
Sipas deputetit, propozimi i PD synon që çmimi i naftës të ulet nga nga 220 lekë në minimimumi 175 lekë/litër
“Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka depozituar në Kuvend një paketë ligjore me dy projektligje,me qëllim uljen e çmimit dhe mbajtjen nën kontroll, si dhe mbështetjen për konsumatorët, ekonominë familjare dhe atë prodhuese. Këto mekanizma financiarë po përdoren gjerësisht nga vendet e rajonit dhe të Bashkimit Evropian. Aktualisht, karburanti në Shqipëri (nafta) taksohet shumë rëndë, në nivelin më të lartë në Evropë. Rreth 60%–65% e çmimit të një litri nafte përbëhet nga taksat që mbledh qeveria. Për krahasim, mesatarja në vendet e BE-së është rreth 52%, ndërsa në shumë prej këtyre vendeve është nën 50%.
Në vendet e zhvilluara të OECD-së, taksimi është edhe më i ulët, rreth 40%–45%. Sot, shteti shqiptar për çdo litër nafte të shitur merr rreth 125 lekë taksë. Me fjalë të thjeshta, çdo qytetar shqiptar paguan rreth 1,200 lekë të vjetra taksë për çdo litër nafte që konsumon, duke e bërë Shqipërinë një nga vendet me barrën më të lartë fiskale mbi karburantin dhe si rrjedhojë, me një nga çmimet më të larta në Evropë. Për këtë arsye, Shqipëria ka sot karburantin më të shtrenjtë në Evropë, dhe në raport me fuqinë blerëse mbi dyfish krahasuar me vendet e rajonit. Ndryshe nga Shqipëria, vendet e BE-së dhe OECD-së ofrojnë shërbime publike të standardeve të larta, duke ua rikthyer bujarisht këto taksa qytetarëve të tyre në formë përfitimesh konkrete.
Për këtë arsye, përmes kësaj pakete ligjore propozojmë: – Uljen e taksës së qarkullimit në nivelin që ka qenë në vitin 2013,përpara se qeveria Rama ta rriste 4 fish; – Aplikimin e modelit të “akcizës së ndryshueshme”, sipas praktikës së ndjekur nga Italia, ku teprica e TVSH-së nga rritja e çmimit të karburantit përdoret për uljen e akcizës,duke ofruar kështu një mekanizëm shumë të ndershëm dhe në dobi të qytetarëve.
Zbatimi i këtyre masave do të sillte një ulje të menjëhershme të çmimit të naftës, nga rreth 220 lekë/litër qe po shitet sot, në të paktën 175 lekë/litër“-deklaroi deputeti.
