Vendoset masa e sigurisë “arrest në burg” për 26 vjeçaren Emanlinda Rama, Valbona Rama, 53 vjeçe (nëna e saj)  dhe Çlirim Dogani, në lidhje me vrasjen e 56-vjeçarit Anesti Rama në Frashër të Patosit.

Mesditën e sotme tre të dyshuarit u paraqitën në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier.

Gjyqtari i çështjes u caktua Klodiana Kryeziu, ndërsa prokurore ishte Lorena Salillari.

Raportohet se të tre të akuzuarit kanë mohuar krimin para gjykatës.

Ngjarja e rëndë shokoi mbarë opinionin publik, edhe për vetë dritëhijet me të cilat u shoqërua kjo ngjarje tronditëse për shkak të dëshmive kontradiktore .

Kryefamiljari 56-vjeç, Anesti Rama u vra nga vajza e tij, Emanlinda Rama në bashkëpunim me nenën e saj dhe Çlirim Doganin, me të cilën mendohet se e reja kishte lidhje dashurore.

26 vjeçarja vrau babanë duke e mbytur me tel dhe së bashku me nënën e saj inskenuan vdekjen e tij. Përveç mbytjes me tel, kryefamiljarit iu gjetën edhe plagë në trup dhe në organet gjenitale duke e bërë këtë një nga rastet më tronditëse të viteve të fundit në Fier.

Hetimet vijojnë dhe pritet që analizat e ADN-së të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të ngjarjes, veçanërisht për të përcaktuar rolin e saktë të Çlirim Doganit në këtë krim të rëndë.

Dyshohet se vajza fillimisht e ka goditur babanë e saj në organet gjenitale, dhe pasi ai ka rënë në tokë, Dogani e ka mbajtur nga duart teksa ajo e mbyste me tel.

Po ashtu dyshohet se ata kanë përdorur edhe mjete të forta dhe mjete prerëse.

Ndërkohë nëna e 26-vjeçares ka ndihmuar në fshehjen e gjurmëve dhe pastrimin e gjakut nga trupi i viktimës.

Krimi është zbuluar nga përgjimi i telefonit, ku 26-vjeçarja pas ngjarjes ka komunikuar me bashkëpunëtorin e saj, Dogani, që dyshohet se kishte lidhje intime me të. Ky i fundit ishte i martuar dhe baba i dy fëmijëve.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds