Kryetari i Komunës së Prishtinës Përparim Rama akuzoi lëvizjen Vetëvendosje, se ka sabotuar dhe bllokuar projektet për zhvillimin e kryeqytetit. Ai sjell si shembuj unazën dhe spitalin e Prishtinës. Por pavarërsisht kësaj situate thotë zoti Rama, Prishtina është transformuar.
Zoti Rama ndodhet në Shtetet e Bashkuara për të marrë pjesë në inaugurimin e Presidentit të 47 të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, më 20 janar.
Gjatë intervistës kryetari i komunës së Prishtinës u përgjigjet kritikëve që e akuzojnë për mos zgjidhje të problemeve me trafikun, mbledhjen e mbeturinave, apo ndotjen e mjedisit. Po kështu zoti Rama flet dhe mbi hetimet e nisura nga Prokuroria Speciale mbi tenderin prej 12 milionë eurosh për themelimin e shërbimit të ‘Arkitektit të Kryeqytetit’.
Zoti Rama thotë se me tenderin janë ndjekur të gjitha procedurat ligjore duke e cilësuar atë si një projekt madhor që ka ndihmuar në transformimin e Prishtinës.
Përparim Rama: Lidhja Demokratike e Kosovës më ka ftuar që të garoj për kryetar të kryeqytetit. Pra është e vetmja parti e cila që në atë kohë ka filluar transformimin e menjëhershëm të saj, pra rivitalizimin e partisë, rishqyrtimin e strukturave të brendshme dhe ka bërë një punë të madhe që nga ajo kohë, pra rreth më shumë se tre vite, kur fituam garën, pra kur u bëra kryetar i kryeqytetit, kryetar i Prishtinës, një garë që mendohej se nuk mund të fitohej. Por ja që e kemi fituar dhe kemi tregu se me një vizion të mirëfilltë, me një analizë dhe njohje të mirëfilltë të problemeve, dhe me një vision për të ardhmen e kryeqytetit, nuk ka asgjë që mund të na ndalë. Dhe kjo po shihet tashmë pas më shumë se tre vitesh në menaxhimin e kryeqytetit.
