Kredia në Euro është në rritje për të dytin vit radhazi, e mbështetur nga normat e ulëta të interesit dhe kërkesa e lartë për hua në segmentin e biznesit.
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit tetor kredia në monedhën europiane arriti shifrën e barazvlefshme të 352.2 miliardë lekëve.
Kredia në Euro është në rritje me 8.1% me bazë vjetore. Rritja madje është përmirësuar më tej nga niveli prej 7.3% i një viti më parë.
Megjithatë, rritja e paraqitur në Lekë është ende e ndikuar nga efekti i kursit të këmbimit. Këtë vit, Leku ka vijuar të forcohet ndaj Euros, ndonëse me ritme më të ngadalta. E zhveshur nga efekti i kursit të këmbimit, rritja vjetore e portofolit të kredisë në Euro do të ishte afërsisht 10%.
Rritja e kredisë në Euro në dy vitet e fundit mund të shpjegohet me disa faktorë. Kreditimi i ekonomisë në tërësi, në të gjitha monedhat, po rritet me ritme dyshifrore.
Statistikat tregojnë se rritja vjetore e portofolit të kredisë për ekonominë në tetor ishte në nivelin 12.1%, duke qëndruar pranë niveleve më të larta në lart në më shumë se 16 vjet.
Rritja me ritme relativisht të larta të ekonomisë dhe gjendja e mirë e bilanceve të sektorit bankar kanë mbështetur përshpejtimin e kreditimit të sektorit privat.
Një faktor që e ka ndikuar në mënyrë më specifike kreditimin në Euro është rimëkëmbja e kreditimit të biznesit. Duke qenë se kërkesa për kredinë në Euro në pjesën më të madhe vjen nga bizneset, rritja e kreditimit në këtë segmet të tregut ka ndikuar edhe në rritjen e kredisë në Euro.
Sipas Bankës së Shqipërisë, kredia në Euro për bizneset është rritur me 8.7% me bazë vjetore. Nëse shtojmë edhe efektin e kursit të këmbimit, rritja e kredisë për biznesin në monedhën europiane do të shkonte në rreth 11.5%.
Gjendja e likuiditetit në Euro e sektorit bankar është mjaft e mirë, e mbështetur nga rritja me ritme dyshfrore e depozitave në monedhën europiane gjatë viteve të fundit. Ky faktor e ndikon pozitivisht edhe ofertën për kredi në Euro.
Sipas Bankës së Shqipërisë, totali i depozitave në monedhën europiane në fund të tetorit të këtij viti arriti në 8.67 miliardë euro, në rritje vjetore me 8%.
Një faktor tjetër që ka ndikuar pozitivisht kërkesën për kredi në Euro është edhe rënia e normave të interesit. Duke filluar nga mesi i vitit 2022, normat e interesit të Euros kishin filluar një rritje të shpejtë, duke ndjekur linjën e politikës monetare të Bankës Qendrore Europiane (ECB). Kjo solli një frenim të fortë të kreditimit në Euro gjatë vitit 2023
Por, rritja e normave të interesit arriti pikun në shtator 2023, ndërsa që nga mesi i vitit 2024 ECB-ja nisi uljen e tyre.
Kjo është reflektuar edhe në normat e interesit në tregje. Treguesi kryesor benchmark, Euribori, ndodhet pranë niveleve më të ulëta në tre vitet e fundit. Në këto kushte, kredia në monedhën europiane është perceptuar përsëri e leverdishme nga huamarrësit./ Monitor
