Ka dështuar sërish konstituimi i Kuvendit të Kosovës, duke shënuar dështimin e 37-të më radhë. Kryesuesi i seancës, Avni Dehari kërkoi nga subjektet politike të propozojnë nga një përfaqësues për Komisionin Zgjedhor, por as kësaj radhe nuk kaloi propozimi.
Me 52 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim seanca u ndërpre, për të vazhduar pas 48-orësh. Pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 9 shkurt, Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të konstituohet, pasi partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), nuk po siguron votat e mjaftueshme për të zgjedhur Kryetaren e Kuvendit. Kandidatja e propozuar nga LVV për këtë post, Albulena Haxhiu, nuk ka marrë përkrahjen e nevojshme.
Mbi katër muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve, për shkak të mospajtimit rreth kryeparlamentarit, vendi ka mbetur pa institucione të reja. LDK-ja, që doli e treta në zgjedhje ka paraqitur një plan me 15 pika për një qeveri uniteti, duke i ftuar të gjitha partitë që ta formojnë një ekzekutiv të tillë, në mënyrë që vendi të dalë nga kriza.
Propozimi është refuzuar nga LVV-ja, ndërsa PDK-ja dhe AAK-ja janë shprehur se preferojnë formimin e një qeverie me partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë pra, duke përjashtuar LVV-në. Deputetët duhet ta zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët për ta konstituuar përfundimisht Kuvendin e ri. Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të formohet Qeveria e re.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përsëritur në fillim të qershorit se vonesa në konstituim të Kuvendit dëmton kredibilitetin e institucioneve dhe përparimin e vendit drejt agjendës euroatlantike.