Kosova dhe Serbia duket se janë përfshirë në një duel refuzimi në mënyrë reciproke të vizitave të ministrave në vendet e tyre. Edhe Kosova, pas veprimeve të Qeverisë së Serbisë për refuzimin e lejimit të vizitave të shumicës së përfaqësuesve të lartë të Qeverisë së Republikës së Kosovës, veçanërisht të vizitave që synohen të kryhen në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, ka refuzuar kërkesën për vizitë të ministrit serb për Informacion dhe Telekomunikacion, Dejan Ristiq.
Kjo shihet si kundërpërgjigje ndaj një vendimi të ngjashëm të marrë nga Beogradi. Nga MPJD-ja u bë e ditur se Ristiq kishte bërë kërkesë që të qëndronte në Kosovë nga data 24 deri më 26 dhjetor.Më herët, më 25 dhjetor, MPJD-ja tha se Serbia ka refuzuar kërkesën ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, për të zhvilluar një vizitë dyditore në komunat në jug të Serbisë, të banuar me shqiptarë.
MPJD tha se kërkesa u refuzua edhe pse u ndoqën procedurat e para për vizita të tilla në bazë të Marrëveshjes së Brukselit për vizita zyrtare.
“Si pretekst për refuzim janë theksuar qëndrimet dhe veprimet e ministrit Sveçla, të cilat, sipas Qeverisë së Serbisë, janë të drejtuara kundër komunitetit serb në Republikën e Kosovës si dhe kundër normalizimit, paqes dhe stabilitetit”, u tha në njoftim.
