Në fshatin Zharrëz, Patos, rreth orës 11:00 janë konfliktuar tre shtetas, ku si pasojë është plagosur me një mjet prerës (kaçavidë) një 35-vjeçar.

Sipas informacionit të policisë, ngjarja ka ndodhur pas një debati për motive të dobëta, ku janë përfshirë shtetasit A. N., 35 vjeç, dhe Dh. N., 68 vjeç (babë e bir), të dy banues në Zharrëz, si dhe shtetasi Dh. G., 60 vjeç.

Nga hetimet e para rezulton se konflikti ka degjeneruar në përplasje fizike. Shtetasi Dh. N. dhe i biri, A. N., kanë goditur me grushte shtetasin Dh. G., i cili më pas ka reaguar duke plagosur 35-vjeçarin me një kaçavidë.

I plagosuri është transportuar menjëherë në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve, ndërsa shtetasit Dh. G. dhe një tjetër, M. G., ndodhen në ambientet e Komisariatit të Policisë, ku po merren në pyetje.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të konfliktit dhe për verifikimin e përgjegjësisë penale të secilit prej të përfshirëve.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds