Të hënën u hodh shorti për renditjen e partive politike në fletëvotimet e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë, në të cilën Lista Serbe do të ketë numrin 112.

Përfshirja e saj nxiti reagimin e lëvizjes Vetëvendosje, e cila është ankuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, pasi që në ditën e fundit të vitit që lamë pas Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se vendimi i këtij paneli për certifikimin e Listës Serbe është i detyrueshëm dhe duhet të zbatohet.

Partia në pushtet këmbëngul se secili vendim i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve duhet t’i nënshtrohet votimit nga anëtarët e tij duke theksuar se në mungesë të votimit ky vendim është i paligjshëm.

Zëvendësministri i Drejtësisë, nga radhët e lëvizjes Vetëvendosje, Blerim Sallahu tha sot se Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve shkeli sërish ligjin me përfshirjen e Listës Serbe në fletëvotim, pa e pritur përgjigjen e Panelën në ankesën e kësaj lëvizjeje.

“Në bazë të nenit 130 të Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative, akti administrativ pezullohet përderisa të vendoset ankesa në organin më lartë, në rastin konkret, në PZAP”, shkroi ai në rrjetet sociale.

Vëzhguesit e pavarur theksojnë se ky proces nuk do të ndryshojë asgjë në certifikimin e Listës Serbe.

Me 23 dhjetor dy anëtarë të Komisionit votuan për certifikimin e Listës Serbe, shtatë abstenuan, ndërsa kundër votuan përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, duke theksuar se kjo parti e themeluar dhe e mbështetur nga Beogradi nuk e njeh shtetin e Kosovës.

Lista Serbe akuzoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për mos certifikimin e saj dhe u ankua në Panelin Zgjedhor. Vendimi i panelit u vërtetua nga Gjykata e Lartë e Kosovës pas një ankese të Vetëvendosjes.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds