Përfaqësia e Bashkimit Europian në Tiranë thotë se nuk është përfshirë në hartimin e dispozitave të draftit të Kodit të ri Penal, ndërsa shton se nuk ka një qëndrim për variantin e hedhur për konsultim publik nga grupi i ekspertëve.

Në një reagim me shkrim, përfaqësia e Brukselit në Shqipëri thotë se rishikimi i përgjithshëm i Kodit Penal është një proces i rëndësishëm dhe kompleks, me një ndikim të mundshëm afatgjatë në shoqëri dhe në sistemin e drejtësisë.

BE-ja nënvizon rëndësinë e garantimit të një konsultimi gjithëpërfshirës dhe të plotë me të gjitha institucionet kryesore të drejtësisë dhe aktorët e shtetit të së drejtës, si dhe me shoqërinë civile, për të garantuar cilësinë më të lartë të legjislacionit që do të miratohet.

Si pjesë e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian, Shqipëria pritet të ndryshojë një numër dispozitash specifike të Kodit Penal për t’u përafruar standardeve europiane dhe legjislacionit të BE-së.

Në periudhën afatshkurtër, BE-ja e inkurajon Shqipërinë t’u japë përparësi atyre ndryshime legjislative që janë të nevojshme për të përmbushur standardet ndërmjetëse të përcaktuara në Qëndrimin e Përbashkët të BE-së për Grup-kapitullin themeloret, ku shpreh gatishmërinë që të ofrojë ekspertizë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *