Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër në një konferencë për mediat lidhur me projekt-kodin e ri penal të propozuar nga mazhoranca, të cilin e cilësoi si “narkokod” dhe “produkt të shpellave të mafies”.

Berisha tha se Prokurori i Përgjithshëm ka deklaruar publikisht se nuk është pyetur apo konsultuar për këtë draft, gjë që sipas tij tregon qartë mënyrën arbitrare dhe të paprecedentë me të cilën është hartuar Kodi i ri Penal nga “Rama-Ulsiu”.

“Kur thashë se ky kod ka dalë nga shpellat e mafies, pati njerëz që u habitën. Por tani që Prokurori i Përgjithshëm e konfirmon se nuk është pyetur fare, kuptohet qartë se çfarë përfaqëson ky kod: dyfishimin e dhunës ligjore mbi qytetarët”, deklaroi Berisha.

Ai renditi disa nga pikat më problematike të kodit, sipas tij: “Burg për parkim, burg për faturat e dritave dhe ujit, burg për ndërtim në pronën tënde. Ndërkohë që dënimet për zyrtarët abuzivë përgjysmohen.”

Berisha e cilësoi Kodin si një “atentat madhor ndaj fjalës së lirë dhe të drejtës për të denoncuar padrejtësitë”, duke kritikuar veçanërisht nenet që, sipas tij, synojnë të mbrojnë individë të caktuar si Altin Dumani dhe Irena Gjoka. “Në asnjë vend të botës nuk ndalohet kritika ndaj vendimeve gjyqësore. Kodi synon të frikësojë qytetarët dhe gazetarët,” shtoi ai.

Berisha: Edhe njëherë, narkoshteti nuk mund të mos hartonte narkokodin.
Dje në një deklaratë publike, Prokurori i Përgjithshëm me kurajo denoncoi faktin se institucioni i tij apo ai si përfaqësues i akuzës në Republikën e Shqipërisë, nuk kishte asnjë dijeni për kodin Rama-Ulsiu.
Pra, kur unë u deklarova ju se ai ka dalë nga shpellat e mafies, sigurisht që pati njerëz të cilët e përcollën me habi.
Por ja pra, unë u them të gjithë atyre që u habitën, tani që Prokurori i Përgjithshëm deklaron se institucioni i tij as që është pyetur ndonjëherë as për konsultë, as për mendim, kuptoni ju se çfarë përfaqëson kodi që të vërtetë shënon pothuaj dyfishimin e dhunës ligjore mbi qytetarët.
Burg për parkime, burg për faturat e dritave, burg për faturat e ujit, burg për ndërtimin në tokën tënde, në truallin tënd.
Pra, dhe përgjysmim i dënimeve për zyrtarët abuzivë.
Atentat madhor kundër fjalës së lirë, mendimit të lirë. Shkohet në atë shkallë sa bëhet një nen për të mbrojtur Altin Dumanin dhe Irena Gjokën.
A mundet? Nuk besoj të ketë një vend në botë ku qytetarët, avoketërit, të mos kenë të drejtë të denoncojnë dhe dënojnë padrejtësinë që u bëhen në sallën e gjyqit.
Absurditeti i kodit tejkalon çdo kufi.
Dhe pse ky nen për mbrojtjen e Irena Gjokës dhe Altin Troplinit? Sepse ata janë në shërbim të regjimit, më të inkriminuarit në sistemin e drejtësisë.
A mund të imagjinoni ju një mercenar që kryeson prokurorinë speciale me katër banesa, gjatë gjithë jetës së tij me një rrogë, dhe gjen edhe megafonët e Edi Ramës që thonë se është i ndershëm.
Njëlloj si një… pashë një titull të një megafoni të tij, bënte fjalë për diktaturë liberale.
E morët vesh tani termin e fundit, është diktator, por është liberal. Këta janë njerëz të zbrazur edhe nga korteksi trunor, edhe nga karakteri njerëzor
Pra, mediat po përdoren nga Edi Rama, po keqpërdoren në shkallën më ekstreme dhe tani edhe ata pak gazetarë të guximshëm që kanë mbetur dhe që shtrojnë me të drejtë pyetjen që si ka mundësi që Altin Troplini të ketë me rrogë të tij tre banesa në emër të vet dhe të banojë kollovar tek vjehrri, me dyshimet se është aksioner në atë vilë, të vazhdojë detyrën, ndërkohë që një tjetër gjykatës pse ka paguar faturat elektrike të vëllait të vet, i quhet banesë e tij. Ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese. Atij u përdoren ato fatura si dëshmi nga Altin Dumani dhe të tjerë për ta dënuar me një vit burg.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

This will close in 21 seconds