Zbardhen detaje nga dosja ndaj Erion Veliajt, ku efektivi i burgjeve, Fatjon Baci, ka dëshmuar se i ka dhënë celularin e tij Veliajt gjatë transportit nga paraburgimi i Durrësit drejt Tiranës, për në seancën gjyqësore.
Sipas dëshmisë së efektivit Veliaj ka përdorur telefonin personal të policit gjatë transportit nga paraburgimi i Durrësit drejt Tiranës, për të bërë dy telefonata me familjarët e tij.
Fatjon Baci, efektiv i shoqërimit të të paraburgosurve, ka pranuar para hetuesve të SPAK se ia ka dhënë celularin Veliajt në dy momente të ndryshme, përpara dhe pas seancës gjyqësore, për shkak të presionit dhe frikës që ndjente nga figura publike e të arrestuarit.
“Në furgon, para se të mbërrinim në Tiranë, më kërkoi të telefononte vëllain se ndihej keq. Ia dhashë telefonin dhe ai komunikoi vetë me numrin. Më pas, përsëri pas gjyqit, para se të kalonim shinat pranë SPAK-ut, më kërkoi sërish telefonin. Edhe atëherë ja dhashë nga frika,” dëshmon efektivi në dosje.
Nga dëshmia rezulton se Veliaj ka folur me vëllain e tij për ecurinë e seancës gjyqësore, duke cituar se avokatët e kishin vlerësuar paraqitjen e tij si “10/10” dhe kishin shprehur optimizëm për shtyrjen e vendimit. Po ashtu, ai i kishte thënë vëllait: “E kanë me mua personale.”
Efektivi deklaroi se nuk arriti të dëgjonte të gjitha bisedat për shkak të zhurmës në rrugë, por i ka dorëzuar celularin nga presioni dhe respekti ndaj figurës së Veliajt.
Veliaj ndodhet nën hetim për një sërë akuzash, mes të cilave korrupsion dhe pastrim parash