Specialistët e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore  zhvilluan një verifikim në terren të Kishës së “Shën Sotirit”, në fshatin Thanë.

Kjo kishë mesjetare, e ruajtur sot në gjëndje rrënoje pas dëmtimeve të pësuara ndër vite, u dokumentua në detaje përmes evidentimit të gjëndjes aktuale dhe mbetjeve arkitektonike.

Ky hap konsiderohet i rëndësishëm për njohjen dhe mbrojtjen e mëtejshme të këtij objekti me vlera historike dhe kulturore.

Kisha e “Shën Sotirit” gjendet midis fshatrave Thanë dhe Kosovë e Madhe në Lushnjë. Nga arkeologu Gjerak Karaiskaj, kjo kishë është përmendur si kishë mesjetare e ndërtuar në shekujt XIII-XIV. Gjithashtu në Muzeun e Lushnjës gjendet një dokument në të cilin përmendet shekulli XIII si kohë e ndërtimit të saj, ndërkohë që thuhet se është prishur përpara vitit 1948.

Kisha e “Shën Sotirit” ka qenë një kishë e vogël, me shumë mundësi njënefshe dhe me afreske.

Procesi i dokumentimit do të vijojë me hulumtime të mëtejshme shkencore dhe me përgatitjen e një projekti që synon identifikimin e fazave të ndërtimit dhe vlerësimin e kësaj trashëgimie të çmuar, që është pjesë e identitetit kulturor dhe historik të zonës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *