Këshilli i Legjislacionit u mblodh në lidhje me kërkesën e PD-së, për shkarkimin e kryeparlamentarit Niko Peleshi duke e akuzuar për shkelje të rënda të Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit. PD kërkoi që kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi të ishte prezent për të hapur mbledhjen e këshillit ashtu siç e do tradita. Deputeti demokrat Ivi Kaso parashtroi kërkesën e tij në Këshillin e Legjislacionit, duke u ndalur te dy seanca, për ndryshimet në rregulloren e Kuvendit dhe prezantimin e programit të qeverisë.

“Kemi të bëjmë më një kërkesë të grupit të PD, për drejtimin e seancës nga Niko Peleshi, në seancën e datës 16 shtator dhe 18 shtator, në të cilat pavarësisht se sapo ishte zgjedhur ka kryer veprime në kundërshtim me kushtetutën dhe rregulloren, duke i mohuar të drejtat deputetëve të opozitës. Shkeljet e konsumuara në këto dy seanca s’kanë të bëjnë me shkelje vetëm të natyrës procedurale, ndryshimi i rregullores me procedurë të përshpejtuar në ndryshim nga parashikimet kushtetuese, me anë të së cilës s’mund të shqyrtohej një ligj me procedurë të shpejtuar. Ka të bëjë me mohimin e të drejtës së deputetëve të opozitës për ndryshimet e rregullores dhe kthyer në një traditë parlamentare me anë të cilës ndryshimi i rregullores së Kuvendit është bërë me konsensus”, tha Kaso.

Deputeti socialist Damian Gjiknuri kërkoi shtyrjen e mbledhjes, duke theksuar se maxhoranca duhet të marrë kohë për të paraqitur argumentet e saj.  

“Po kërkohet shkarkimi i kryetari të kuvendit, është normale për mazhorancën të marrë kohën e saj, të japë argumentet saj, por mbi të gjitha me frymën e mirë për të bindur njëri tjetrin. Do kërkoja kohë për njohjen e dokumenteve, apo kërkesës, për të paraqitur pozicionin tonë dhe do propozoja ta bëjmë mbledhjen javës tjetër, çështja të futet në rend dite”, tha Gjiknuri.

Me kërkesë së PS për të marrë kohë për të shqyrtuar kërkesën e opozitës për shkarkimin e Peleshit, mbledhja u shty dhe do të zhvillohet në fillim të javës së ardhshme.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *